A do të merren vesh Qeveria dhe sindikalistët rreth harmonizimit të të drejtave të punëtorëve? Ata sot në takimin e përbashkët i shqyrtuan qëndrimet e tyre të kundërta. Se ka dallime mes tyre pohon edhe kryeministri Zoran Zaev. Kryetari i sindikalistëve, Darko Dimkovski nga Qeveria kërkoi për klasën punëtore fundjavat të jenë të lira, por kryeministri Zaev me kundërpërgjigje – nëse duam të jemi si Zvicra, duhet të punojmë.
“Duam paga zvicerane, atëherë duhet të punojmë si në Zvicër. Duam rroga më të larta, atëherë duhet të kemi produktivitet më të madh të punës. E shihni se kemi qëndrime të ndryshme me Sindikatën, ata kërkojnë që e shtuna dhe e diela të jenë ditë jopune, kurse ne themi e diela, sepse produktiviteti duhet të funksionojë me të gjitha mekanizmat prodhues”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Dimovski pohon se nuk duhet të bëhet seleksion gjatë sjelljes së ligjit të ri për dalje në pension.
“Nuk është e drejtë që një punëtore tekstili dhe një nëpunës administrativ të pensionohen me kushte të njëjta. Kërkojmë të vendoset pension sipas moshës, e cila do të realizohej në moshën 57-vjeçare për gratë dhe në moshën 59-vjeçare për burrat me stazh prej minimum 15 vjetëve”, tha Darko Dimovski, kryetar i LSM-së.
“Veprimtaritë më të prekura në ekonominë tonë janë arsye për të biseduar për uljen e kufirit të moshës për dalje në pension. Opsioni – 5 vjet më herët nga 64 për burrat apo 62 për gratë, është i mundshëm nëse ai vetë e paguan”, u shpreh Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Zaev premtoi pagë minimale prej 20 mijë denarëve, pensionim të parakohshëm deri në pesë vjet, e diela të jetë ditë jopune dhe ligj të ri për marrëdhënie pune me standarde evropiane. Sindikalisti i parë është optimist se kërkesat e punëtorëve do të pranohen nga pushteti, sepse siç thotë, janë reale. Ballafaqohemi mirë me gjendjen ekonomike, tha Zaevi, pas informacionit për ulje të BPV-së prej 12.7%. Sa i takon pakos së re masash për mbështetje, shprehet se nuk ka nevojë për huamarrje, megjithatë nuk e përjashtoi mundësinë që shteti të marrë hua, gjë që, siç tha, nuk do të jetë pengesë nëse ekonomia e vendit ka nevojë për ndihmë.