Koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM-ja e Zoran Zaevit pohon se e ka siguruar shumicën e nevojshme për formim të qeverisë.
“Kjo do të konfirmohet ditëve në vijim kur do të merret mandati nga Presidenti Stevo Pendarovski dhe kur do të vijë akti i votimit në Parlament” thonë nga Lidhja Socialdemokrate.
Por me kë e ka arritur LSDM shumicën prej 61 deputetëve, me Bashkimin Demokratik apo koalicionin Aleanca për Shqiptarët-Alternativa?
Burimet e brendshme të TV21 nga LSDM thonë se shumicën e kanë edhe pa Bashkimin Demorkatik për Integrim, megjithatë, siç sqaron i njëjti burim, Zaev dëshiron që shumica të jetë më e fortë, duke e pasur brenda edhe Bashkimin Demokratik, por pa kushtin për Kryeministër shqiptar!
Kreu i integristëve Ali Ahmeti nuk tërhiqet nga kërkesa për kryeministër, tregon burimi. Nëse kryeministri shqiptar nuk bëhet dhe palët nuk lëshojnë pe, Bashkimi Demokratik kalon në opozitë, mësohet të kenë thënë integristët.
Krejt këto lidhen edhe me lajmet e përhapura dje nëpër mediat online ku shkruhej se tashmë është arritur marrëveshje mes VMRO-DPMNE-së dhe Bashkimin Demokratik për bashkëqeverisje dhe se Hristijan Mickoski ka pranuar kërkesën e Ahmetit për kryeministër shqiptar, me rotacion 2 me 2.
Zëdhënësi i Bashkimit Demokratik Bujar Osmani thotë se ditëve të fundit ka pasur shumë lajme të cilat ai i quan spekulime. Tregon se bisedimet zyrtare kanë nisur sot, me takimin Zaev-Ahmeti, të cilin Osmani e quan konstruktiv, shpresëdhënës për epilog të suksesshëm, por jo edhe vendimtar për epilog të tillë.
TV21- Mund të nënkuptojmë se shanset janë të mëdha që kryeministri të jetë shqiptar qoftë edhe për 1 vit? Kjo është ajo që na intereson më së shumti.
Bujar Osmani: Po por do të duhet të presim për shkak nuk do të ishte korrekte nëse të gjitha pozicionet tona i shpalosim në opinion para se ti shpalosim në tavolinë. Sot më shumë është biseduar në aspekt të rikthimit të një mirëbesimi të humbur gjatë fushatës zgjedhore me qëllim që të krijohen parakushte për të shtruar në tavolinë pozicionet tona aty. Do të duhet edhe pak durim në këto takimet ditëve në vijim”.
Osmani pohon se Bashkimi Demokratiknuk përjashton takimet as me partitë e tjera. I pyetur për koalicion të mundshëm Bashkimi Demokratik-DPMNE, zëdhënësi integrist tha se “nuk do ta lënë shtetin pa qeveri”, por pa dashur të flasë më tej për situata hipotetike.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski, as nuk i konfirmon e as nuk i hedh poshtë informacionet se DPMNE ka përafruar qëndrimet me Bashkimin Demokratik për koalicionim.
“VMRO-DPMNE punon për formimin e shumicës parlamentare. Informacionet nga burime të pakonfirmuara dhe të pa identifikuara, as nuk i konfirmoj e as nuk i demantojmë”, potencoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
LSDM i ka 46 deputetë, bashkë me 15 të Bashkimit Demokratik dhe 1 të PDSH-së do arrihej shumica prej 62 deputetësh.
Nëse LSDM koalicionon me ASH-Alternativa me 12 deputetë, plus 1 i PDSH-së, atëherë do të arrihej numri prej 59 deputetësh, i pamjaftueshëm për formim të shumicës. Kjo hap sërish dilemat se mos Zaev ka arritur të bindë, të paktën 3 deputetë, qoftë të VMRO-DPMNE-së ose të Bashkimit Demokratik për ta mbështetur me votë qeverinë “Zaev 2”.
Në skenarin e mundshëm që qeveria të formohet mes VMRO-DPMNE-së dhe Bashkimin Demokratik, numrat e të dyjave arrijnë 59 deputetë. Duke qenë se nevojiten edhe 2 për të arritur 61-shin, atëherë këtu mund të llogaritet mbështetja e dy deputetë të partisë “E majta”.