Turqia do të pezullojë kërkimin për naftë dhe gaz në detin e ujërave të diskutuara të Mesdheut lindor, i cili ka rritur ashpër tensionet ushtarake me Greqinë fqinje, tha të martën një zyrtar i lartë turk.
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan u tha bashkëpunëtorëve të tij që “ta lënë mënjanë për një kohë”, sipas një deklarate të zëdhënësit të tij Ibrahim Kalin, dhënë në CNN Turk.
Javën e kaluar, Turqia njoftoi planet për të dërguar anijen kërkimore Oruc Reis dhe dy anije mbështetëse për të kryer kërkime deri më 2 gusht në jug të ishujve grekë Rodos, Karpathos dhe Kastelorizo. Të gjithë këto ishuj janë afër bregdetit të Turqisë.
Njoftimi zemëroi Greqinë dhe tërhoqi kritika nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe vendet e tjera evropiane.
“Greqia reagoi jashtëzakonisht … sikur do të okuponim ishullin Meis (Kastelorizo)”, tha Kalin për CNN Turk. Ai tha se zona e planifikuar e hulumtimit është afro 180 kilometra larg nga ai ishull i vogël.
“Sidoqoftë, presidenti ynë tha se ‘ndërsa bisedimet vazhdojnë, le të shohim se çfarë ndodh dhe ta lëmë mënjanë për një kohë’”, u citua të thoshte Kalin referuar Erdogan.
Konflikti aleat
Aleatët e NATO-s, Greqia dhe Turqia janë në konflikt mbi të drejtën e shfrytëzimit në ujrat e Mesdheut lindor.
Turqia ka akuzuar Greqinë se po përpiqet ta përjashtojë atë nga përdorimi i depozitave të mundshme të naftës dhe gazit në Detin Egje dhe Mesdheun lindor, duke argumentuar se kufijtë e detit për shfrytëzim tregtar duhet të vendosen “në mënyrë të barabartë” – bazuar në linjat kryesore të Greqisë dhe Turqisë, dhe jo ishujt grekë. Athina përgjigjet se qëndrimi i Turqisë shkel ligjin ndërkombëtar.
Serhat Guvenc, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has në Stamboll, tha se prania e Flotës së Gjashtë të SHBA për një ushtrim detar në zonë po kontribuonte në vendimin e Turqisë për të pezulluar kërkimet, të cilat ai e quajti “tërheqje strategjike” të Turqisë.
Areoplanmbajtësja “Dwight D. Eisenhower” mori pjesë në ushtrime me Marinën greke nga 24 korriku deri më 28 korrik.
“Ishte një rezultat i drejtpërdrejtë i angazhimit amerikan, megjithëse mesazhi ishte delikate dhe kurrë nuk ekzistonte një kërcënim i hapur as për Turqinë dhe Greqinë. Por prania e një force detare kaq të frikshme dhe kaq të madhe amerikane jep një mesazh të qartë se Uashingtoni nuk mund të lejojë një krizë midis dy aleatët në një konflikt të hapur”, tha Guvenc.
Zëdhënësi presidencial Kalin theksoi nevojën për negociata, duke thënë se çështjet bilaterale me Greqinë duhet të zgjidhen përmes dialogut, jo kërcënimeve për ofertën e Turqisë në BE.
Rivalët rajonalë
Ai gjithashtu sugjeroi që “të gjithë vazhdojnë të punojnë në zonat e tyre kontinentale dhe të udhëheqin punë të përbashkët në zonat e diskutueshme”.
Në Athinë, zëdhënësi i qeverisë greke Stellos Pecas përshëndeti vendimin e Turqisë. Ai e përshkroi misionin e saj të synuar për hulumtim si “të paligjshëm”, por shtoi se shpresonte që të dy vendet të mund të zhvillonin bisedime kuptimplotë.
“Ky është një zhvillim pozitiv,” i tha Pecas televizionit privat Sky. “Ne duam kanale të hapura komunikimi me Turqinë dhe shqyrtimin e një çështjeje që ka dëmtuar të dy palët për shumë vite: demarkacionin e zonave detare. Eshtë një çështje që, natyrisht, ka nevojë për një kornizë të përshtatshme për përparim.”
Këta dy rivalë historikë rajonalë kanë qenë në prag të luftës tre herë që nga fillimi i viteve 1970, për shkak të së drejtës për të shfrytëzuar detin, si dhe pronësinë e një ishulli të pabanuar në Detin Egje. Përballja më e rëndë ishte në 1974, kur Turqia pushtoi shtetin e Qipros, në Mesdheun lindor, pas një përpjekje për grusht shteti nga përkrahësit e bashkimit të Qipros me Greqinë.
Gjermania drejtoi ndërmjetësimin diplomatik midis dy palëve, dhe në fillim të këtij muaji priti një takim ku morën pjesë Kalin dhe kreu i zyrës diplomatike të kryeministrit grek. Takimi në Berlin u zbulua disa ditë më vonë nga Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu.
Por në fakt “loja është ndryshuar nga politika amerikane e përdorimit të shkopit të madh proverbial për të bërë biznes me Turqinë dhe Greqinë,” tha profesori Guvenz, duke shtuar se “Gjermania ka pak mjete për të ndaluar konfliktin detar midis dy vendeve”.