Zef Deda, mjeshtri i madh i humorit, është i njohur në mbarë-trevat shqipfolëse. Ai e të tjerë artistë të një brezi që konsiderohet i artë, bënë shqiptarët për të qeshur në kohë tepër të vështira.
Por edhe pse shkëlqyen në një kohë tjetër, kur mungonte liria e shprehjes, Zef Deda duket sikur jeton ende sot me humorin e tij, madje ka shumë që thonë se ai e të tjerë mbeten të pakonkurueshëm.
Aktori i mirënjohur i humorit shkodran, Zef Deda ka folur hapur për mënyrën e aktrimit të artistëve të rinj, gjatë viteve të fundit.
Një ndër aktorët më të njohur të humorit gjatë ditëve të sotme është edhe djali i tij, Julian Deda.
Zefa Deda është shprehur se sot aktorët nuk bëjnë për të qeshur, pasi libretisti që shkruan tekstet është më i dobët se një shkrimtar i lënë as dore dhe që s’është i aftë të shkruajë një batutë.
Zef Deda shtoi se artistët detyrohen që t’i shkruajnë vetë batutat, ndërsa theksoi se mungon kultura e të interpretuarit dhe e të folurit.
“A bëjnë për të qeshur aktorët e humorit sot?”- u pyet aktori i humorit në një lidhje në Skype me emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora.
“Ne kemi pasur libretist, edhe sot kanë libretist, por libretisti është më i dobët se një shkrimtar i lënë as dore, pale ku e kanë gjetur, që nuk është i aftë të shkruajë një batutë dhe detyrohen artistët vetë t’i shkruajnë.
Në vendet e botës nuk funksionon kështu. Problemi qëndron tek kultura e të shkruarit, kultura e të interpretuarit dhe kultura e të folurit,”– tha Zef Deda.
Pyetjes nëse humori i tij ndryshon me atë që bën sot i biri, Julian Deda iu përgjigj: “Po ka shumë ndryshime, sepse atëherë ka qenë një censurë dhe ne thoshim atë që ishte e lejuar në atë kohë. Atëherë kishim edhe kontroll kulturor dhe kontroll politik.
Sot nuk i kontrollon askush. Edhe Juli përpiqet të ketë kujdesin që ka dhe baba i vet dhe familja jonë. I kam mësuar fëmijët që të mos përdorin banalitete. Ka ndonjë moment, që edhe mund të përdorë ndonjë fjalë të vogël banale, por mua nuk më pëlqen fare.”