Rolando Lekaj është modeli shqiptar që jeton prej 8 vitesh në Kinë. Ai është i martuar me Tereza Lekaj, sipërmarrësen e famshme në të gjithë botën. Bashkëshortja e modelit shqiptar shpesh është komentuar për pasurinë e saj në fushën e bukurisë pasi ka kompaninë më të madhe në Kinë.
Çifti ka një djalë, Royëen Lekaj, i cili në muajin Tetor mbush 3 vjeç.
I ftuar tek “Rudina”, Rolando ka treguar historinë e dashurisë së tyre.
“Ata që më njohin e dinë historinë, ata që nuk më njohin po ua them tani shumë shkurt. Para 6-7 vitesh, jam njohur me të në punë. Unë punoja për kompaninë e saj. E pa se çfarë bëja unë në punë edhe ne shqiptarët kur duam të arrijmë diçka, e kemi zgjuarsinë dhe nuk jemi përtacë siç janë në vende të tjera të botës. Vijmë nga një vend i varfër, duhet ta themi këtë edhe pse është një vend shumë i bukur dhe me njerëz shumë të bukur, nuk mund të krahasohet me vendet e tjera të botës për sa i përket pasurive. Në atë kohë nuk e dija gjuhën kineze, flisja pak dhe më dha 2-3 herë mundësinë të jem pjesë e takimeve të mëdha me menaxherët e kompanisë. Isha bashkë me përkthyesen time që më përkthente nga anglishtja në gjuhën kineze. Ishin rreth 30 menaxherë dhe më ftoi për darkë, unë nuk e dija që ishin menaxherët më të mëdhenj të kompanisë. Tha se janë miq të mirë dhe kemi një darkë për qejf kështu që rri i qetë. Teksa darkonim, bëra pyetje rreth punës, rreth kompanisë, sepse në atë kohë kishim një ide për të blerë një spital në Gjermani, të cilin e kemi dhe operojmë edhe në Gjermani. Shumë nga përgjigjet e mia i pëlqyen bashkëshortes dhe menaxherëve. Ajo kishte simpati për mua, edhe unë simpati për të. Ndenjëm për rreth 1 vit e ca në raportin pronar – punonjës, domethënë ishte pronarja ime, e respektoja. Pastaj unë kisha realisht një pëlqim të madh për të dhe kisha dëshirë të krijoja një familje me të, sepse nuk më intereson pasuria e saj duke qenë se edhe para njohjes me nusen time kisha një jetë goxha të mirë në Pekin, kisha një punë goxha të mirë dhe goxha të ardhura. Por si i thonë asaj fjalës, ‘edhe nëse bashkëshortja është me një status goxha të lartë, faleminderit Zotit, pse jo, është mëse e mirëpritur.’ E kam ftuar në Shqipëri, sepse kisha dëshirë të dija si do reagonin prindërit. Herën e parë që ka ardhur në Shqipëri i ka lënë pa fjalë, familjen time, axhat, hallat e të gjithë. Aty pastaj filloi çdo gjë dhe më pas në vitin 2013-2014 dhe nga aty kemi shkuar në Nice, në Kanë, ku organizohej festivali i filmit dhe pastaj aty filloi çdo gjë në plazhin e bukur të Nicës. Faleminderit Zotit sot kemi një familje të mrekullueshme, edhe na ka bekuar zoti me një djalë të mrekullueshëm“, tregoi Rolando Lekaj.