Shqipëria ka regjistruar viktimën më të re me COVID19. Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një 34-vjeçare nga Librazhdi, e cila prej disa ditësh ishte në gjendje të rëndë dhe e intubuar në spitalin Infektiv, duke e çuar në total numrin e personave që kanë humbur betejën me koronavirusin në total në 47. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ajo vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese si diabeti dhe hipertensioni
“Një humbje jete ka ndodhur mëngjesin e sotëm. Një 34 vjeçare nga Librazhdi e cila vuante nga insuficenca renale kronike, diabeti, hipertensioni, e konfirmuar me Covid19, e shtruar në shërbimin infektiv prej disa ditësh, në gjendje të rëndë dhe e intubuar, pavarësisht përkujdesjes së mjekëve nuk ka mundur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerës”, njofton Ministria.
Një numër të lartë të rasteve të reja është regjistruar edhe ditën e sotme, ku si rezultat i 347 testimeve janë konfiirmuar pozitiv me koronavirus 67 qytetarë. Kruja është rikthyer në epiqendrën e virusit, ku këtë të mërkurë kanë rezultuar të infektuar 18 persona, për t’u ndjekur nga Tirana dhe Shkodra. ” Numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Kruja me 18 raste, kemi 16 të prekur në Tiranë, 10 në Shkodër, 6 në Vlorë, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kurbin, Lushnje, dhe nga 1 rast përkatësisht në Durrës, Fier, Korçë, Kavajë, Rrogozhinë, Tropojë, Berat, Vau i Dejës dhe Divjakë. Një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhen me ndërmarrje me shumë punëtorë, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja”, bën me dije Dr. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik.
Vijon të ketë sërish shtrime të reja në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 82 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive. Megjithatë, një lajm optimist është se në 24 orët e fundit janë shëruar 22 qytetarë, mes tyre 7 mjekë dhe infermierë, duke e çuar në 1217 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht 850 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.
Apeli i Ministrisë ditën e sotme shkon për bizneset me shumë punonjës.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë subjekteve të respektojnë protokollin e sigurisë. Ndërmarrjeve, institucioneve, subjekteve me shumë punonjës: Kryeni çdo ditë vlerësimin temperaturës si dhe vlerësoni prezencën e simptomave të COVID-19 në personat e punësuar dhe të kujtdo që hyn apo del në ambientet e punës. Personat me temperaturë apo me simptoma duhet të rikthehen në shtëpi dhe të kryhet komunikimi me strukturat shëndetësore. Siguroni vazhdimisht elementet higjenizues e pastrues si sapun, letër për pastrimin e duarve, dezinfektantë. Mbani maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën. Siguroni ajrosjen e mirë dhe dezinfektimin e ambjenteve si dhe larje para hapjes dhe pas mbylljes së tij. Mininistria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve të shmangin vendet me grumbullime, të respektoni distancën, dhe kurdo kur kjo nuk është e mundur, përdorni maskë”, është apeli i Ministrisë së Shëndetësisë.