Vizat për Kosovën, Grenell përplaset me eurodeputeten: 20 vjet që ankohesh

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka replikuar në rrjetin social Twitter me të Dërguarin Special të Presidentit Trump, Richard Grenell. Diskutimi virtual mes tyre ka nisur fillimisht mbi rezultatet e marrëveshjes Kosovë – Serbi mbi autostradën, linjën ajorore dhe hekurudhën, për të përfunduar më tej tek çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Interesante. A ka ndonjë rezultat nga “marrëveshja” e fundit për hekurudhat dhe aviacionin? Nuk po gjej asnjë”, shkruante Von Cramon në Twitter.

Por pak kohë më vonë, Grenell nuk është kursyer në përgjigjen e tij, teksa i ka kujtuar eurodeputetes detyrat e saj lidhur me çështjen e vizave për Kosovën.

“Viola në vend që të kritikosh gjithçka që administrata Trump bën për të ndihmuar normalizimin e ekonomive në Kosovë dhe Serbi, përse nuk fokusohesh në të vetmen gjë që presupozohet të bësh: vizat për Kosovën. Ke 20 vite që ankohesh për të tjerët! Bëj punën tënde”, shkruan Grenell.

Në këtë replikë është përfshirë edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli që thotë se Kosova e ka bërë pjesën e saj dhe tashmë nën presidencën gjermane është momenti final për të përmbushur premtimin.

Pas kësaj eurodeputetja ka reaguar sërish, duke thënë se është në dorën e Këshillit të Bashkimit Evropian heqja e vizave të Kosovës, por për këtë çëshjte pyetni Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

“Siç ia shpjegova, Richard Grenellit, është në dorën e Këshillit të Bashkimit Evropian të vendosë për këtë çështje. Fatkeqësisht. Por nëse ju dëshironi të luani një rol konstruktiv këtu, telefononi Presidentin Emmanuel Macron dhe pyeteni pse ai është kaq ngurrues për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ju do të çuditeni me përgjigjen e tij”, ka shkruar Von Cramon./Opinion.al