Burim Rreci është rikthyer në një pozitë të cilin e kishte më herët në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në atë të sekretarit permanent në këtë dikaster.Ricaktimi në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të MTI-së u bë nga Qeveria e Kosovës me anë të një vendimi i cili mban nënshkrimin e shefit të ekzekutivit, Avdullah Hoti.
Rreci ishte zgjedhur në postin e sekretarit të Përgjithshëm nga qeveria Haradinaj përkundër faktit që ekspertet Britanik të BDO-së kishin vlerësuar se ai nuk i plotëson kushtet të emërohet sekretarë i përgjithshëm.Gjatë kohës sa Rreci ishte sekretar i përgjithshëm i MTI-së ishin punësuar të afërm të Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqi, krerët e Nismës Socialdemokrate.Rreci ishte shkarkuar në vitin 2018 nga Bajram Hasani, një ish-anëtar i partisë Nisma Socialdemokrate, që atë kohë drejtonte ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Ish-ministri kishte ngritë dyshime për keqpërdorime në MTI nga Burim Rreci.Në vendimin e Hasanit thuhej se Rreci ishte përfshirë duke bërë presione nëpër komisione që emëronin shërbyes civil. Përveç kësaj, vendimi i Hasanit thoshte se sekretari i tanishëm i MTI-së ishte përfshirë drejtpërdrejtë në grante dhe tenderë.“Burim Rrecaj pezullohet nga pozita e sekretarit të përgjithshëm të MTI-së po ashtu për involvim të drejtpërdrejtë në grante e tender, si dhe ushtrim i presionit mbi komisionin me rastin e emërimit të shërbyesve civil”, thuhej në vendim.E pas këtij vendimi, Bajram Hasani, me kërkesë të partisë së tij, ishte shkarkuar nga posti i ministrit në MTI. Por, Burim Rreci ishte rikthyer shpejt në postin e sekretarit nga ushtruesja e ministres së MTI-së në atë kohë, Arbreshë Krasniqi. Ndaj këtij vendimi kishin reaguar edhe një grup i organizatave jo-qeveritare.Ai ishte zgjedhur sërish në postin që mbante edhe pse vlerësimi nga një komision që përbehej edhe nga profesionistë të Ambasadës Britanike e kishte renditur si të katërtin në listë.
“Burim Rrecaj, i cili është zgjedhur nga qeveria si sekretar i përgjithshëm, ishte renditur i katërti me pikë. Ai arriti që të përfshihet në listën e tre kandidatëve të cilat MAP-i i ka dërguar në qeveri vetëm pas largimit nga procesi në mënyrë të pashpjegueshme të njërit prej kandidatëve”, thuhej në reagimin e OJQ-ve, të cilat e kishin quajtur emërimin e Rrecit si politik.Burim Rreci ishte përfshirë edhe në një rrahje gjatë vitit të kaluar me nipin e zyrtarit të lartë të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi.Në nëntor të vitit të kaluar brenda hapësirave të MTI-së kishin plasur grushtet në mes Arian Krasniqit dhe Burim Rrecit. Përmes një komisioni disiplinor, nipi i Jakup Krasniqit, Ariani ishte suspenduar.