Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, thotë se jo që e beson, por është i sigurt se kryeministri shqiptar do bëhet.
Komentet në fjalë Ahmeti i bëri në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në TV Klan, ndërsa ka thënë se ideja për ndarjen e detyrave të larta shtetërore është hedhur që në vitin 2009, para 11 vitesh.
“Ka plot raste që numra nuk ka pasur, por kryeministër ka pasur. Dikur thoshin se nuk mund të ketë ministër të Mbrojtjes shqiptarë, ashtu sikurse që thoshin se edhe ministër të Punëve të Brendshëm nuk mund të ketë shqiptarë. Apo edhe për kryeparlamentarin. Të gjitha këto i kemi pasur dhe i kemi. Edhe Federatën e Futbollit të Maqedonisë e udhëheq shqiptarë. Dhe, ideja për postet e larta shtetërore është hedhur që në 2009, para 11 vitesh. Për pozitat e lartat – gjykata supreme, ministri i Mbrojtjes, ai i Policisë, kryeparlamentari, guvernatori… kryeministri”, thotë Ahmeti, ndërsa sqaroi se kryeministri zgjidhet me marrëveshje politike, ndryshe nga presidenti me vota direkte nga qytetarët.
“Ne e bëmë Zoran Zaevin kryeministër, me votat tona. Kështu që e lëmë a bëhet apo nuk bëhet. Me rëndësi është që në Maqedoninë e Veriut të hiqen paragjykimet se shqiptarët nuk mund të drejtojnë dikastere të ndjeshme. Ka ndryshime, por akoma ka paragjykime. Në nuk kemi kuadër të drejtojmë navigacionet, por për Punën e Brendshme, për Parlamentin, sigurimin e shtetit, Mbrojtjen, kemi sa të duash. Unë jo që besoj, por do bëhet kryeministri shqiptar. Me këtë do të vetëdijësohen edhe partitë politike maqedonase, sepse jemi dalëzotës edhe ne. Mbase subjekti që i del zot kësaj ideje, ka merita historike për ekzistimin e këtij vendi. Po dal nga modestia – nëse unë pajtohesha për ndarjen e vendit në 2001, ky vend do të ndahej. Megjithatë, unë e kam parë që një ndarje do të ishte e dhimbshme për të dyja palët, edhe për maqedonasit. Ky ka qenë vendimi më i vështirë i Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së se s’ka ndarje të Maqedonisë”, tha Ahmeti.
Ai ka thënë se një shqiptar në post të lartë, sikurse që ishte Talat Xhaferi në krye të Parlamentit, ka qenë kryetari më i mirë i Parlamentit. “Apo ministri i Punëve të Brendshme që udhëhoqi Policinë si më mirë në një gjendje të jashtëzakonshme , apo Ministrinë e Mbrojtjes…”, tha Ahmeti.