Duke u ndalur te asimptomatikët, Pipero bëri deklaratën befasuese, për të cilën tha se mund të mos gëzojë mbështetjen e të tjerëve, kur u shpreh se një i ri apo e re pozitiv me Covid 19, mund të vijojë normalisht aktivitetin por me kushtin që të mos heqë maskën.
“Për një person që është në moshë të re, rezulton pozitiv dhe nuk ka shenja klinike, me një maskë mund të vazhdojë jetën, mund të vazhdojë të punojë, me kusht që të mos heqë maskën nga goja dhe hunda. Nuk është e domosdoshme, për mua të izolohet”, u shpreh Pipero.
“Informacioni për mediat dhe publikun është shumë i rëndësishëm, që media në këtë situatë të mos i gjurmojë lajmit, por të kërkojë informacionin. Ndaj them se informacioni është shumë i rëndësishëm, por po të vini re në gjithë botën, ne kemi më shumë lajme se informacione, dhe lajmi rrjedh për shkak se ky virus ka shumë të panjohura.
Dhe nëse një informacion nuk e kemi dhënë në kohën e duhur është se duam të jemi të saktë dhe nuk duam të gabojmë. Pra, për shkak të të qenit të sigurt, jo të censurimit. Unë jam një nga ata që nuk na është thënë kurrë mos dil. Përkundrazi na është thënë dilni jepni një mesazh” – vijoi më tej Pipero.
Referuar rastit të bërjes publik të emrave të vëllezërve Budina, të prekur nga Covid 19, mjeku infeksionsit Pëllumb Pipero, deklarohet se është kundër publikimit të tyre.
“Unë e kam shumë të vështirë të marr një informacion me emër në ISHP, ose e kam të pamundur sepse i gjithë informacioni ka një protokoll të caktuar të vendosur nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Pipero.