Autorja e programit ‘Njerëz të humbur’, Aida Shtino e ftuar në programin ‘Shqipëri Live’ ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me humbjen e Bleona Matës. Shtino pretendon se Prokuroria nuk ka marrë në pyetje 5 vajzat që sipas saj kanë informacion mbi zhdukjen e vogëlushes.
“Le të marrin historinë e Bleonës që dihet komplet, ekzistojnë 5 vajza që kanë marrë vajzën e vogël dhe e kanë çuar në mal dhe Prokuroria nuk i ka marrë asnjëherë në pyetje. Ne si emision i kemi marrë, ndërsa Prokuroria jo”, është shprehur ndër të tjera Shtino.
Kujtojmë që nëna e Bleona Matës, Bukurie Mata ka bërë herë pas here apel që të merren në pyetje të 5 vajza e akuzuara për zhdukjen e saj.
“Ka 10 vite që është zhdukur vajza ime dhe nga shteti nuk kemi asnjë informacion, asnjë dritë jeshile për gjetjen e Bleonës, për bijën time të vetme. Unë i kisha kërkuar drejtësisë, që 10 vite radhazi 5 kriminelët rrinë të lirë, 5 dëshmitarët rrinë të lirë, 5 vajzat që e zhdukën Bleonën janë të lira”, shprehet Bukuria.