Ish-deputetja demokrate, Grida Duma ka komentuar lajmin e eurobondit që mori qeveria Rama. Sipas saj, kjo qeveri ka marrë tre eurobonde, si asnjë tjetër.
“Nuk ka ndodhur ndonjëherë që të merren 1.15 miliardë euro borxh, tre eurobonde, që nuk kanë shkuar në sektoret e zhvillimet,” tha ajo.
Duke folur për Reformën Zgjedhore, Duma tha se PD u angazhua për të plotësuar një nga 15 kushtet e Bundestagut gjerman, për të cilat tha se kanë ardhur si rezultat i sakrificave të opozitës.
E pyetur për sistemin zgjedhor dhe listat e hapura, të cilat i ka mbrojtur, Duma tha se shqetësimi i saj i madh është mungesa e konkurrencës në vend.
“Kemi shumë vite që në shoqërinë tonë kemi demotivuar konkurrencën. Në ekonomi pesë veta marrin të gjithë tenderat. Po ashtu në fushat e tjera të shoqërisë. Konkurrenca duhet t’i kthehet shinave të veta. Në këtë kuptim unë kam thënë se listat e hapura janë përgjigje,” tha Duma, duke shtuar se “nuk mendoj se ka një kryetar partie që nuk i do kandidatët fitues” tha Duma për Syri Tv.
Në fund, e pyetur për një lajm të qarkulluar nga mediat sociale për një martesë të saj, Duma i ka hedhur poshtë të gjithë zërat, duke thënë se këto janë spekulime për klikime.