Presidenti Ilir Meta dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi nuk ndajnë të njëjtin mendim për koronavirusin, madje ndajnë qëndrime ekstreme. Një gjë e tillë u konstatua edhe sot në daljet publike të tyre.
Gazetarët po prisnin një prononcim paraditen e sotme nga kreu i shtetit pas homazheve për ditën e Dëshmorëve të Atdheut, por Ilir Meta u kërkoi që të mbajnë distancë.
“Mos u afroni shumë” u kërkoi Presidenti gazetarëve duke u kërkuar që të mbajnë distancën e sigurisë sipas protokolleve në fuqi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Por Monika Kryemadhi që më parë e ka cilësuar si një konspiracion koronavirusin doli nga selia e PD-së pas mbledhjes me aleatët shumë e shpenguar.
Njëri nga gazetarët i kujtoi që Presidenti kërkoi mbajtjen e distancës, por Kryemadhi u shpreh se burrat janë më frikacakë se gratë.
“Në përgjithësi meshkujt janë më frikacakë se gratë. Kjo sepse vjen dhe si rezultat se Zoti ja ka dhënë gruas për të qenë nënë. Edhe kur bëhet fëmija burri gruaja e ka 9 muaj që e mban dhe e rrit në bark, kështu që mos u shqetësoni. Edhe çështja e virusit kjo është një arsyet që i frikëson më shumë burrat” tha Kryemadhi.