Gazetari i “Bresciaoggi”, Giuseppe Spatola ka zbuluar sesi qëndron e vërteta e gjobitjes së ,mjekëve shqiptarë në Itali pas përfundimit të shërbimit 1 mujor në shtetin fqinj.
Në një intervistë për News24, Spatola tregoi se pas ceremonisë së falenderimit organizuar nga autoritetet e rajonit të Lombardisë, ku u cilësuan heronj, ekipi shqiptar i bluzave të bardha organizoi një festë në hotel, mesa duket për të ulur tensionin e akumuluar.
“Në mesnatë pronari i hotelit ka telefonuar policinë e Brescias dhe menjëherë aty kanë mbërritur 2 patrulla, pasi me shpalljen e pandemisë është e ndaluar rreptësishtë të qenurit bashkë në një dhomë shumë persona. Ata ishin 10 dhe secili u gjobit me nga 500 euro. Përveç kësaj, një prej mjekëve tentoi të kërkonte shpjegime nga forcat e rendit, por u denoncua prej tyre për fyerje në publik. Për ngjarjen u informua edhe ambasada juaj, si dhe u morr edhe Ministria e Jashtme e Italisë dhe kuestura e Brescias”, tregon gazetari.
Giuseppe Spatola thotë se autoritetet e shëndetësisë reaguan në mënyrë institucionale, pasi është e qartë që në momente të tilla duhet marrë në konsideratë edhe aspekti human.
“Mjeket që na kanë ofruar ndihmën e tyre në Itali, kanë qenë përballë një lufte të vërtetë. Mjafton t’iu referohemi shifrave: më shumë se 2000 të vdekur, 12000 të infektuar, pra 1 i infektuar në 100 banorë. Pra, tensioni i akumuluar prej tyre kuptohet qartë. Apeli që i është bërë nga të gjitha institucionet e Brescias ishte për t’i anuluar këto gjoba. Ekipi shqiptar është vlerësuar maksimalisht dhe ky mëkat le të themi është konsideruar si diçka fare e vogël në krahasim me punën dhe luftën e tyre me këtë virus që mesa duket nuk do ta lerë Italinë”, shton ai më tej.
Mediat lokale, rrëfen gazetari Italian, kanë publikuar në faqet e para foton e ekipit shqiptar, duke i përshëndetur si heronj.
“Kjo ngjarje gati-gati komike nuk është prekur në media, pasi në një fare mënyre nuk kanë dashur ta zmadhojnë një gjë të tillë përballë kësaj ndihme të dhënë prej jush!”, – përfundon Spatola.