Gazetarja Rudina Xhunga tha në një lidhje me “Skype” në rubrikën “Opinion”, , se shqiptarët duhet të vijojnë të zbatojnë masat kundër koronavirusit, pasi nuk do të ketë rikthim në normalitet, deri në zbulimin e vaksinës.
Sipas Xhungës, kjo kohë izolimi duhet të na shërbejë për të rikthyer vëmendjen te vlerat e Shqipërisë, prodhimet tona, bujqësia, etj, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të ndryshuar.
“Ka aq shumë njerëz përreth me halle, kanë humbur punën, kanë punuar në vende që janë mbyllur, ka njerëz që punjonë në të zezë dhe nuk hapin dot gojën. Pra, ka njerëz që nuk e dinë ç’do të bëhet me ta nesër. Për këtë arsye, nuk ka rëndësi nëse po e bën mirë apo keq qeveria punën. Izolimi është i vështirë për të gjithë, por duhet të rrimë, derisa të zbulohet vaksina.
Ky është momenti më i mirë për të kuptuar pavarësinë e prodhimit ekonomik, të mos e përçmojmë brandin shqiptar. Kjo do të na krijojë pavarësinë ekonomike. E vetmja mundësi për të ndryshuar është kjo. Prandaj them me shumë besim se nëse ca zëra, ashtu si unë, promovojnë bujqësinë, ekonominë, vendin, atëherë mbase do të ndryshojmë, do të shtojmë shembujt pozitivë dhe njerëzit për këtë kanë nevojë”, tha Xhunga.
Pyetje: A duhet të vazhdojnë akoma masat?
Xhunga: Ka një liri me pikatore nga qeveria, thjesht njerëzit kanë këtë çlirimin, por edhe lodhjen në fakt, se po bëhen 50 ditë. Njerëzit mund t’ia hedhin Edi Ramës, por nuk ia hedhin dot virusit. Shpresoj të kemi fatin e madh të kalojmë edhe fazën e dytë, por është pandemic globale, do të ketë probleme në gjithçka. Vetëm kur ne të jemi vaksinuar kjo periudhë mbaron. E mira është t’iu përshtatemi rregullave dhe të mos bëjmë sikur gënjejmë veten. E vetmja gjë për t’u bërë bashkë është rreth institucioneve shkencore, shëndetësore, dhe për të lexuar materialet që na ndihmojnë, por jo një dyndje në lajmet e koronavirusit, se kjo i bën dëm shëndetit mendor. Ne nuk jemi njerëzit që do të shpikim vaksinën, por ne do rikrijojmë një realitet të ri për atdheun tonë.