Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha i ka shprehur ngushëllime familjes së ish-presidentit, Bujar Nishani.
Berisha përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ka thënë se Nishani ishte një drejtues i shkëlqyer dhe efiçent i Partisë Demokratike, deputet, ministër, dhe kandidat i votuar për president të Republikës nga mazhoranca e kësaj partie.
Ai tutje shtoi se sot për Shqipërinë është ditë zie dhe dhimbje e thellë për familjen Nishani.
“Dielli perëndoi përgjithmonë për ish presidentin Bujar Nishani! Të dashur miq, sot ish presidenti Bujar Nishani mbylli sytë përgjithmonë duke zhytur kështu në dhimbje, zi e pikëllim të thellë familjen e tij të dashur, miqtë e të afërmit, Partinë Demokratike dhe mbarë Shqipërinë. Ish presidenti Bujar Nishani, ishte ikone e vlerave më të larta morale të njeriut, ndershmërisë, atdhetarisë dhe përkushtimit”.
“Ai ishte burrështetasi i shquar, që përfaqësoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçante dhe urtësi në arenën ndërkombëtare duke i dhënë nder dhe vlerë institucionit të presidentit, shtetit dhe qytetarëve shqiptare. Bujar Nishani ishte gjithashtu një drejtues i shkëlqyer dhe efiçent e i dashur i Partisë Demokratike, deputet, ministër, dhe kandidat i votuar për president të Republikës nga mazhoranca e kësaj partie”, ka shkruar Berisha.