Me sa duket, Partia Progresive Serbe do të formojë Qeverinë e re të Serbisë, por në të mund të mos ketë vend për ministrin aktual të Policisë, Aleksandar Vulin dhe kryetarin e Kuvendit dhe liderin e SPS-së, Ivica Daçiq.
Siç merr vesh gazeta beogradase, nova, partnerët perëndimorë kërkojnë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ta “pastrojë” qeverinë nga kuadrot pro-ruse dhe shteti të marrë një kurs të qartë të politikës së jashtme në raport me Rusinë.
Sipas “novas”, zgjedhjet për kreun e SNS-së dhe presidentin serb kanë qenë gjithmonë një justifikim për të mos mbajtur një qëndrim të qartë për pushtimin e Rusisë në Ukrainë.
Edhe pse shumëkujt mund t’i jetë dukur se Serbia ishte relativisht e suksesshme në balancimin e politikës së saj të jashtme, muaji i mjaltit ka përfunduar.
Gjegjësisht, burimet e gazetës pohojnë se pas zgjedhjeve kanë ardhur kërkesa të shumta që Vuçiq të marrë një vendim të qartë.
Siç mëson mediumi serb, partnerët perëndimorë rekomanduan që në Serbi të krijohet një shumicë e re parlamentare sa më shpejt që të jetë e mundur, duke pasur parasysh se Partia Progresive Serbe ka mundësi ta bëjë këtë me mbështetjen e partive minoritare.
Kreu i Progresistëve, Aleksandar Vuçiq, kërkohet të përcaktojë qartë Serbinë sipas situatës në Ukrainë dhe të harmonizohet me sanksionet që Bashkimi Evropian vendosi ndaj Rusisë. Në të njëjtën kohë, kërkesa është që “lojtarët rusë” të hiqen nga lart.