Nga: Andi Bushati
Sa herë që gjendet në rrezik, Edi Rama i kthehet vlerave të nëpërkëmbura të së majtës. Kështu ka bërë edhe këtë të enjte gjatë fjalës në kuvend, ku tha se ministria e Energjitikës po përgatit një plan krize i cili në mungesë të energjisë parashikon që familjet e pasura të diferencohen nga lehtësimet që mund tu bëhen shtresave të tjera: “Ata që kanë më shumë do të paguajnë më shumë”, tha kryeministri duke përsëritur një nga tezat themelore të socialistëve kudo në botë, që kanë në qenëdër të ideologjisë së tyre konceptin klasor të marksizmit.
Dhe kjo nuk është aspak një rastësi. Edhe pak ditë më parë, kur demostruesit që protestonin kundër rritjes galopante të çmimeve mbushën sheshet duke kërkuar heqjen e taksës së rrugës nga çmimi i karburantit, Rama e rrëzoi këtë pretendim duke u bazuar tek një llogjikë e majtë: “natyrisht që ata që përdorin veturë duhet të paguajnë një kosto më të lartë sesa pensionistët që ecin në këmbë apo të tjerët që nuk kanë mundësi të kenë një të tillë”, argumentoi ai.
Po ti mbash shënim këto qëndrime të forta ideologjike ato ngjajnë shumë me diskurin që Rama propogandonte përpara se të vinte në pushtet. Ende qarkullon në rrjet një video e bërë virale, kur gjatë një interviste me Arian Çanin, kreu i socialisëve shpjegonte dallimin mes një të majti dhe një të djathti: “I pari kur sheh një lyps në rrugë thotë se ç’duhet të bëjë për ta ndihmuar, ndërsa i dyti argumenton se ai kaq meriton”, e divulgonte kryeopozitari diferencën me kundërshtarët e vet.
Mbi këtë bazë ai e ngriti fushatën për të ardhur në pushtet duke u mbështetur në pabarazinë e madhe që ekzistonte në vend ku 5% e popullsisë zotëronin të njëjtën pasuri sa edhe pjesa tjetër e 95% të shqiptarëve.
Në letër të gjitha këto duken të bukura, të drejta dhe të frymëzuara nga idealet e larta të barazisë sociale. Por tani pas më shumë se tetë viteve në pushtet, duhet të jesh shumë idiot që të besosh sërish në të njëjtat mashtrime. Gjatë qeverisjes së tij, socialistët e kanë rritur pabarazinë dhe e kanë thelluar varfërinë. Kryeministri e ka përqëndruar gjithë pasurinë e vendit vetëm në pak duar, të cilat rrëmbejnë pa tender, pa gara dhe pa srupuj, çdo para dhe pasuri publike. Si rrezultat i këtyre politikave ultra liberale, diferenca në pasuri sot është thelluar nga koha kur Rama si opozitar premtonte ta reduktonte atë. Në mesin e mandatit të tij të dytë, sipas raportit vjetor të agjensisë të depozitave rrezultote se 3.2% e shqiptarëve zotëronin së bashku rreth 4.1 miliardë euro depozita bankare ndërsa pjesa tjetër prej 97% e individëve, kishin rreth 3.2 miliardë euro. Po sipas të njëjtit raport theksohej se vlera prej 4.1 miliardë eurosh ndahej vetëm mes afro 90 mijë personave që janë kryesisht njerëz me paga dhe të ardhura të larta.
Po ashtu sipas FMN rreth 30% e popullsisë jetojnë nën kufirin e varfërisë me më pak se 5.5 USD në ditë, ndërsa gati 51% rrezikojnë të bien nga çasti në çast poshtë këtij kufiri.
Me ardhjen e socialistëve në pushtet, sipas Indeksit GINI, treguesit më serioz të matjes së pabarazisë në botë, rrezulton qartë se 10% i më të pasurve e ka rritur kontrollin mbi të ardhurat që prodhon ekonomia jonë.
Kjo tendencë pabarazie më mirë se kurdo u duk gjatë kohës së krizës së pandemisë. Qeveria e Tiranës qe ajo që shpërndau ndihmën më të vogël direkte nga të gjitha vendet e rajonit, madje gënjeu publikisht për dhënien e paketës së tretë të ndihmës. Po në të njëjtën kohë që të skamurve u shtrëngohej ripi, për më të kamurit pati politika të tjera.
Sikurse tregoi një investigim i BIRN, një grup i vogël prej 10 biznesesh, që qenë në krye të listës së koncesioneve, u bënë njëherazi përfituesit më të mëdhenj të kredive të subvencionuara në bazë të garancisë sovrane të qeverisë për përballimin e pandemisë së COVID-19, duke thithur gati gjysmën e fondit të miratuar nga bankat.
Por, ndonëse vazhdonte me politikat e egra të thellimit të varfërisë, në një kohë kur shumë familje mbetën pa paga, në publik Edi Rama bënte sikur kërcënonte të pasurit, të cilëve u bërtist nga ekrani që të shisnin jahtet dhe vilat e tyre të katërta. Ishin pikërisht këta të pasur të cilëve ai u lehtësoi taksat për blerjen e jahteve dhe të më parë u kishte përgjysmuar në mënyrë antikushtetuese tatimin mbi dividentin.
Pra nuk ka asnjë hezitim, Rama sillet ndryshe nga ç’flet. Ai vetëm me gojë hiqet si i majtë sepse realisht është një sharlatan i saj. Ai nuk e ka tradhëtuar atë vetëm duke ngritur në piedestal kolaboracionistët e luftës së dytë botërore, por mbi të gjitha, duke zhbërë politikat e barazisë dhe solidaritetit. Ai kujtohet për të majtën vetëm me parrulla në kohë krize, duke u munduar të qetësojë me sllogane ata që do të vazhdojë ti varfërojë përditë e më shumë.