Moderatori Blendi Fevziu tha se situata është “komike dhe e paimagjinueshme” dhe se Basha po përpiqet që me “truke administrative” ta lodhë Berishën, duke i ulur vrullin lëvizjes së tij.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Fevziu tha se Partia Demokratike ndodhet në një ngërç, por e cilëson si një situatë jo të papritur.
“Njëra palë ka thirrur datën 11 dhjetor me parimin që anëtarësia e zeron kryesinë. Zakonisht anëtarësia e kërkon mbledhjen e kuvendit kur nuk e bëjnë strukturat. Mbështetësit e Berishës mendojnë se kjo e zeron dakordësinë e kryetarit. Basha ka thirrur Kuvend tjetër. Mund ta thërriste një javë më parë, por me sa duket nuk e premton më koha fizike. Thërret kuvend sipas të drejtës statutore. Ku dallojnë këto? Në të parin ka ndryshime statutore, që e dimë që do të shkarkojnë Bashën dhe një lloj rivotimi. Kuptohet që shkarkimi final do të jetë një anëtar një votë. Kuvendi i propozuar nga Basha nuk e ka këtë pikë të diskutimit. Jemi në një ngërç, ka ndodhur situatë jo e papritur. E papritur është që bëhen dy kuvende brenda një jave. Mund ti bënin në dy salla të ndryshme. E kemi parë këtë në partitë e vogla, ku ka përfunduar edhe në rrahje,”-tha moderator në fjalën e tij.