Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka zhvilluar sot një takim me drejtueset e Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian, kryetaren Jorida Tabaku dhe nënkryetaren Etilda Gjonaj.
Në një postim në “Facebook”, ambasada amerikane zbardh detaje nga takimi, ku thekson se në fokus të bisedimeve ka qenë integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Postimi i ambasadës:
“Pak gjëra janë më të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë sesa integrimi i saj në Europë. Ambasadorja Kim u takua më 22 tetor me drejtueset e Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian – Kryetaren Jorida Tabaku dhe Nënkryetaren Etilda Gjonaj – për të diskutuar mbi progres raportin e Komisionit Europian për vitin 2021, i cili vëren se Shqipëria “vazhdon të përmbushë kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe… përparoi në mënyrë të qëndrueshme në rrugën e reformës së Bashkimit Europian”, si dhe fushat të cilat kërkojnë vëmendje të mëtejshme. Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken kanë theksuar se Shtetet e Bashkuara besojnë me forcë se Shqipëria i përket Bashkimit Europian dhe se negociatat e anëtarësimit duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Ne besojmë se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian ndihmon në konsolidimin e institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe në përparimin e sundimit të ligjit në Shqipëri, si dhe rrit stabilitetin dhe kontribuon në zhvillimin e popujve të rajonit. Ambasadorja Kim mirëpriti vendosmërinë e Komisionit për të forcuar llogaridhënien mbi veprimet e qeverisë, për të informuar publikun dhe për të përshpejtuar përparimin drejt përmbushjes së standarteve të Bashkimit Europian, përfshirë sundimin e ligjit, reformën në drejtësi, masat kundër korrupsionit dhe pastrimit e parave në përputhje me rekomandimet e Task Forcës për Veprim Financiar (FATF), dhe reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it. Ajo përsëriti se Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të mbështesin me forcë përpjekjet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, e cila – ashtu si përpjekja e suksesshme e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO – është një qëllim i rëndësishëm strategjik që kërkon kontributin e ideve dhe përpjekjeve nga të gjitha palët”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.