Bëhet me dije se Agron Kapllanaj është komanduar si Kryetar i degës së PD-së në Fier, deri në ristrukturimin e kësaj dege. Kapllanaj zëvendëson Luan Baçin, deputetin demokrat, i cili iu bashkua Foltores së ish-Kryeministrit Sali Berisha.
Baçi kishte paraqitur dorëheqjen muaj më parë për shkak se kandidoi për deputet në zgjedhjet e 25 prillit, por ai vijonte të mbante funksionet e Kryetarit, pasi nuk ishte caktuar apo deleguar asnjë emër tjetër.
Gjithsesi, duket se pozicionimi i tij përkrah foltores së Berishës, ka detyruar Lulzim Bashën, kreun e PD, që të përcaktojë një drejtues të degës, deri në atë që konsiderohet si strukturimi i saj, pra zgjedhja e një tjetër kryetari.
Agron Kapllanaj ishte kandidat i PD në Qarkun e Fierit, ku renditej i shtati i listën shumëemërore, ndërsa mori si votë preferenciale besimin e mbi 9500 votuesve, por pa mundur të thyejë herësin, që mund ti jepte mandatin e deputetit.