“Nuk do të ketë asnjë tolerim”. Ky ishte paralajmërimi i fortë i Lulzim Bashës ditën e sotme për Flamur Nokën nëse vazhdon, por edhe deputetët e tjerë. Ai tha nga selia blu se “ne nuk mund të mbetemi peng i axhendave personale, sajesave dhe shpifjeve, që duan ta kthejnë PD në një bunker të axhendave personale, të kujtdo qofshin”.
Në mbledhjen e grupit ditën e diel, Lulzim Basha referuar akuzave nga baza, tha se “Qeverisja 8 vjeçare e PD ka pasur pjesën e vet të mirë dhe ka pasur edhe llumin” duke shkaktuar irritimin e një pjese të demokratëve, mes tyre të Nokës. Por kush është llumi në PD? Këtë lideri demokrat e sqaroi ditën e sotme.
“Kush është llumi? Jua them unë tani. Fraza të dala indirekt apo edhe këtu nga këto shkallë të PD-së (prononcimi i Flamur Nokës dje) që janë sajesa dhe shpifje i shërbejnë Ramës, ato bëhen për të demoralizuar demokratët, ndërkohë që e gjithë beteja jonë është të mos shkelmojmë mbi sakrificat e demokratëve për interesat e askujt, as të miat, por edhe as të kujt tjetër.
Kjo është arsyeja që kam marrë një vendim në 9 shtator, por të shmangur cdo mundësi përçarje, që i fryn Edi Rama dhe regjimi i tij. Regjimi i Ramës përbëhet nga oligarkë, pronarë mediash dhe anëtarë të krimit të organizuar. Këta janë llumi i tranzicionit. 30 vite ndërrohen qeveritë, këta pasurohen, statusi juaj vetëm përkeqësohet dhe beteja ime është me ata.
Këtu kërkohet fokus. A ka pasur llum në kohën e qeverisjes së PD? Po, një pjesë e kemi pastruar kur ishim në qeverisje, një pjesë nuk kemi dalë ta pastrojmë. Njerëz që kanë kontrata me inceneratorët, njerëz që sot hapin gropa në Tiranë për të pastruar paratë, njerëz që kanë frikë nga gjëmat e tyre dhe janë të shantazhuar nga Rama për t’i shërbyer.
Që këto para të vendosura me praktika korruptive gjatë kohës që qeverisnim ne, ti përdorin për të shantazhuar demokratët në një rrugë pa krye dhe të akuzojnë kryetarin e PD-së se po u bën presion demokratëve, kjo është e patolerueshme.
PD është shpresa e vetme e këtij vendi. Kushdo që mendon se do ta kthejë PD në bunker të interesave personale apo të ndryshojë orientimin tonë euro-atlantik, apo do të thyejë vendosmërinë time për t’u përballur me Ramën apo bishtat e korruptuar të ish-qeverisjes sonë, që një pjesë i kemi pastruar dhe një pjesë kanë mbetur, demokratët i dinë, ku janë dhe çfarë pazaresh kanë bërë dhe bëjnë me Edi Ramën. Nuk do të lejoj asgjë dhe askënd që di bjerë me shkelm sakrificës së demokratëve” tha ai.