Kohët e fundit po qarkullojnë zërat se brenda PS-së ka një ftohje mes Sekretarit të Përgjithshëm, Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetajt e Belinda Ballukut.
Kjo për shkak të zgjedhjeve lokale që po afrojnë dhe thuhet se Gjiknuri është parë më pranë kryebashkiakut Erion Veliaj.
Megjithatë zërat për një ftohje të tillë, i hodhi poshtë vetë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku.
E ftuar në emisionin “Breaking”, Balluku tha se Partia Socialiste është një parti e hapur ku qarkullon mendimi i lirë.
“PS ka qenë dhe do të jetë një nga partitë më të hapura, ka vetinë e jashtëzakonshme të ripërtërihet dhe auto-motivohet. Kjo e bën dallimin e PS nga partitë e tjera. Nuk di të ketë të mërzitur apo të lodhur brenda PS.
Secili ka dëshirat e veta dhe të dizajnojë një rrugëtim për veten dhe nuk del si do donte, por jemi një bashkësi vullnetarësh që gjejmë mundësi të auto-motivohemi. Mandati i tretë nuk na ka vetëkënaqur. Fjalimet e Ramës kanë qenë gjithnjë autokritike. Mendimi i lirë në PS është gjëja më e mirë që kemi në parti”, – tha Balluku.