Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka folur për situatën e krijuar ditëve të fundit në veri të vendit. Në një postim në Facebook, Mustafa ka thënë se situata atje është shumë serioze dhe e rrezikshme.
Ai ka thënë se në këtë situatë, presidentja, kryeministri e kryeparlamentari duhet të jenë në Kosovë e jo të dërgojnë mesazhe përmes Nju Jorkut, Shkupit e Budapestit.
Sipas Mustafës, në një situatë të tillë do të duhej të thirrej mbledhja e Këshillit të Sigurisë.
Postimi i plotë i Mustafës në Facebook:
“Situata në veri të Kosovës është tepër serioze dhe e rrezikshme. Në një situatë të tillë , Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari duhet të jenë në Kosovë. Nuk mund të dërgojnë mësazhe, njëra nga Neë Yorku, tjetri nga Shkupi e nga Budapesti, kurse Njësitë Speciale të Policisë të Kosovës të mbesin të mbërthyera në Jarinje e Bërnjak nën kërcënimin e helikopterëve, avionëve e tanksave të Serbisë. Kjo sjellje është joserioze dhe e pafalshme.
Në momente të tilla do duhej të thirret Këshilli i Sigurisë nga Presidentja e vendit dhe të ndërmerren masat e nevojshme duke u koordinuar me partnerët tanë, SHBA, BE, KFOR-in dhe institucionet relevante në Kosovë.”– u shpreh Mustafa.