Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se marrëdhëniet me Qeverinë e Kosovës nuk mendon se janë në një pikë të ulët, por thotë se janë marrëdhënie normale.
Ai në një intervistë për Zërin e Amerikës ka deklaruar se nuk mendon që mospajtimet për nismën Ballkan i Hapur mund të jenë një arsye për të pasur ndonjë problem në marrëdhëniet mes dy qeverive.
“Nuk mendoj që marrëdhëniet me qeverinë e Kosovës janë në një pikë të ulët. Mendoj që ne jemi në një marrëdhënie normale. Natyrisht që marrëdhënia mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe asnjëherë nuk është mjaft të thuhet që është e mirë, pasi mund të jetë gjithmonë më e mirë”.
“Patjetër që kemi një divergjencë lidhur me Nismën e Ballkanit të Hapur, por kjo është një divergjencë që, në këndvështrimin tim, nuk është një arsye për të pasur një problem në marrëdhënie, por është një arsye për të diskutuar qetësisht dhe për ta trajtuar me argumenta dhe me respekt reciprok”, ka thënë Rama.
Ndërkohë, ai sot në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje që Kosova të jetë pjesë e këtij mekanizmi ndërkombëtarë.