Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, pas kthimit nga SHBA takoi Lulzim Bashën. Ndër të tjera ambasadorja tha se “e gjitha kjo kërkon një Parti Demokratike të fortë, të bashkuar që ecën përpara dhe nuk mund të ecësh përpara me një këmbë të ngecur tek e kaluara”. Lidhur me këtë deklaratë ka reaguar demokrati Edi Paloka.
Postimi i Palokës:
“E shkuara” e PD është histori suksesi, krenarie dhe lavdie për gjithë shqiptarët!
E shkuara e PD është përmbysja e komunizmit dhe hapja e rrugës për demokraci!
E shkuara e PD është fitorja e pluralizmit në Shqipëri.
E shkuara e PD është largimi i Shqipërisë nga Lindja dhe rivendosja e marëdhënieve me SHBA e partnerët tanë natyralë, Perëndimin!
E shkuara e PD është vendosja e ekonomisë së tregut dhe lirisë së biznesit në Shqipëri!
E shkuara e PD janë anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe marrja e statusit të vendit kandidat në BE.
E shkuara e PD është dhe celebrimi me SHBA dhe aleatët i pavarësisë së Kosovës!
E shkuara e PD janë këto dhe shumë të tjera, për të cilat jo vetëm demokratët por dhe shqiptarët duhet të ndjehen krenarë!
Prandaj ne demokratët jemi dhe shpresa e shqiptarëve për të ardhmen sepse kemi pasur një histori të lavdishme ndërkohë që kundërshtarët tanë, ata që qeverisin sot, kanë një të shkuar të zezë dhe një të tashme po aq të zezë për shqiptarët!
Ne shohim nga e ardhmja, jo duke harruar e shkelmuar të shkuarën, por duke bërë të kundërtën: duke e ngritur këtë të ardhme mbi vlerat më të mira të së shkuarës e duke shkelmuar të keqen e asaj të shkuare.”-shprehet Paloka.