“Në Ballkan, do ketë destabilizim”, Gjukanoviç paralajmëron nga Asambleja e OKB-së

Ballkani vazhdon të jetë një rajon i përplasjes se interesave dhe qëllimeve strategjike të aktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë, deklaroi në Asamblenë e OKB-së presidenti malazez, Milo Gjukanovic, i cili la të kuptohet se stabiliteti i rajonit, është sot nën kërcënim.

“Edhe sot e kësaj ditë ekzistojnë sfidat dhe kërcënimet ndaj demokracisë shumë etnike në Ballkan. Ballkani Perëndimor është përsëri arenë e interesave gjeopolitike, pasojat e të cilave janë ngadalësimi i integrimit europian“, u shpreh ai.

Gjukanovic tha se Mali i Zi paralajmëron për rrezikun e përtërirë të destabilizimit të Ballkanit Perëndimor dhe ngushtimin e hapësirës të perspektivës së tij europiane. Më herët, një raport i ri i Qendrës për Studimin e Demokracisë me bazë në Bullgari thotë se në vendet ku ka pasur hyrje të kapitalit kinez është vërejtur ndikim negativ në mjedis dhe cilësinë e qeverisjes.

Sipas raportit, vendet që kanë pësuar më së shumti në rënien e standardeve të qeverisjes dhe rritjen e nivelit të borxhit janë Bosnje dhe Hercegovina, Hungaria, Mali i Zi dhe Serbia. Edhe ndikimi rus konsiderohet nga vendet perëndimore si shumë problematik në Ballkanin Perëndimor.