Delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë në krye me zëvendësministrin Blerim Sallahu, ka vazhduar takimet në kuadër të vizitës zyrtare në Hagë.
“Gjatë ditës së djeshme dhe të sotme, delegacioni është takuar me personat të cilët po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë si dhe me zyrtarë të tjerë të Qendrës së Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në kumtesë, transmeton Klankosova.
Gjatë takimeve të tjera me zyrtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës janë diskutuar një mori çështjesh rreth rendit shtëpiak, por edhe procedurave për lëshimin e vizave për familjarët e të ndaluarve.
“Procedurat e komplikuara për lëshimin e dokumentacionit të familjarëve – vizave, të cilët vizitojnë të afërmit e tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, shujtat javore të njëjta, problemet me porositë dhe pagesat, zvogëlimi i orarit të shëtitjes gjatë fundjavave si dhe pagesat e vështirësuara për disa nga avokatët, kanë qenë disa nga shqetësimet e tyre”.
“Shqetësimet e tyre janë diskutuar edhe në takim me Kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekatarina Trendafilova, Regjistren e Dhomave të Specializuara, Fidelma Donlon dhe zyrtarë të tjerë të dhomave të specializuara në Hagë, të cilët janë zotuar për lehtësim të procedurave për kompletimin e dokumentacionit të familjarëve dhe pajisjen e tyre me vizë për një kohë më të gjatë, si dhe trajtim të dinjitetshëm dhe sipas standardeve ndërkombëtare të personave të cilët mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë”.