I ashtuquajturi projekti mini-Shengen, do të mundësojë lëvizshmërinë e bizneseve dhe profesionistëve dhe do të ndihmojë në eliminimin e barrierave tregtare brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor, thonë ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit në Kosovë. Kjo nismë, sipas tyre, synon përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.
Serbia dhe Kosova me marrëveshjen për normalizimin ekonomik të nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, janë pajtuar t’i bashkohen zonës së mini-Shengenit, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019. Në atë kohë, Kosova e pati kundërshtuar fuqishëm këtë iniciativë.
Më 21 dhjetor të këtij viti, në Durrës pritet të mbahet takimi i tretë i të ashtuquajturit “mini Shengeni Ballkanik”, ku marrin pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Tre liderët ballkanikë, kryeministri shqiptar Edi Rama e ai maqedonas Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç u mblodhën më herët në Novi Sad dhe Ohër për të diskutuar për një marrëveshje, që sipas tyre do të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve në Ballkanin Perëndimor. Por lënia jashtë e Kosovës dhe përfitimet reale të Shqipërisë nga ky bashkëpunim, ku nuk bën gjithashtu pjesë Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi, kanë hapur polemika të forta në Shqipëri mes analistëve dhe ekspertëve të ekonomisë.
Termi “mini Shengen” është një eufemizëm i zgjedhur nga 3 shtetet pjesëmarrëse për një etiketë më joshëse për projektin e krijimit të “zonës së përbashkët ekonomike” Ballkaniko-Perëndimore.
Përfitime reale ekonomike apo thjesht politikë?
Zbatimi i Mini Shengenit Ballkanik është konsideruar i dobishëm nga kryeministri shqiptar Rama, pasi sipas tij nuk do të ketë më dogana për njerëzit dhe se bizneset e kapitalet do të përfitojnë financiarisht.
Por eksperti i ekonomisë, Ilir Ciko nuk sheh ndonjë përfitim të dukshëm për qytetarët shqiptarë. Ai është kritik ndaj nismave alternative, sepse ekziston një model që duhet ndjekur, CEFTA.
“Liritë themelore brenda rajonit tonë trajtohen më së miri nga Marrëveshja CEFTA, në të cilën të tre vendet nismëtare të mini Shengenit bëjnë pjesë. Mendoj se rruga e duhur për arritjen e lirive nis së pari nga ndërtimi i tyre brenda vetë vendeve, e më pas brenda rajonit përmes zbatimit të CEFTA-s, për të cilën të gjitha vendet kanë rënë dakord. CEFTA është provuar si model i suksesshëm për integrimin rajonal dhe përgatitjen e vendeve për integrimin e vendeve në BE. Të gjitha vendet e ish-Europës Lindore e deri Bullgaria, Rumania e Kroacia kanë qenë pjesë e marrëveshjes deri në pranimin e tyre në Bashkimin Europian.”
Çka përfshin “mini-Schengeni ballkanik”?
Këto janë 10 pikat e marrëveshjes së Ohrit për të cilat u pajtuan tre nismëtarët e idesë së “mini-Schengenit”.
Udhëtimi i shtetasve të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë brenda territorit të tre vendeve vetëm me letërnjoftim.
Të huajt në shtetet anëtare të nismës mund të udhëtojnë pa viza shtesë.
Lejet e përbashkëta të punës dhe njohja e kualifikimeve dhe diplomave, pa procedura shtesë.Shkëmbimi i studentëve.
Projekte të përbashkëta R&D.
Prezantimi i një kohe pune 24-orëshe për të gjitha shërbimet e inspektimit kufitar, me fokus në inspektimin fitosanitar dhe veterinar.
Paketë unike e dokumentacionit që kërkohet për transitin e mallrave, me theks në prezantimin e sa më pak dokumenteve që të jetë e mundur, në përputhje me strategjinë e zhvillimit digjital;
Ndryshime në ligjet e tregut të kapitalit, taksave dhe sistemit financiar në të tre vendet, me qëllim krijimin e kushteve për një rrjedhë të qetë të kapitalit.
Forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e luftimit të kriimit transnacional dhe terroriizmit.
Përcaktimi i rregullave të veta në shumë fusha për të përmirësuar atraktivitetin e të tre vendeve dhe bashkëpunimin.
Kundërshtimi i fortë i Kosovës
Para se të mbahej takimi i përbashkët në Ohër ndërmjet liderëve të disa shteteve të Ballkanit Perëndimor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi bëri një njoftim.
Ai tha se ka refuzuar pjesëmarrjen në samitin e Ohrit për disa arsye.
“Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave. Por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavarura”, ishte deklarata e të parit të Kosovës, Hashim Thaçi përmes Facebook-ut.